Banka Kombëtare Tregtare
Banka Kombëtare Tregtare është partneri kryesor i Fakultetit të Studimeve të Integruara me Praktikën.e themeluar në vitin 1925. BKT-ja është banka tregtare më e madhe dhe më e vjetër në Shqipëri. Bashkëpunimi 11- vjeçar midis BKT-se dhe FASTIP-it, nxjerr në pah vit pas viti suksesin e këtij sistemi arsimor unik në Shqipëri. Gjatë këtyre viteve, Banka Kombëtare Tregtare ka mbështetur, sponsorizuar dhe edukuar nëpërmjet këtij programi 184 studentë në studimet Bachelor të Degës Menaxhim Banke,126 diplomantë janë punësuar direkt pas diplomimit dhe 37 studentë janë duke ndjekur studimet në vitin akademik 2018 – 2019. Tashmë, 11% e stafit të Bankës Kombëtare Tregtare (101 punonjës) janë të diplomuar në FASTIP, duke dhënë kontributin e tyre në suksesin e bankës dhe duke ndjekur rrugët personale të karrierës, prej pozicionit të respektuar të Tellerit deri në Drejtor Dege, Zëvendës Drejtor Departamenti, Drejtues Operacionesh, Auditor, etj.
Banka Kombëtare Tregtare dhe Universiteti “Aleksandër Moisiu” Durrës, përgjatë 11 viteve eksperience të këtij programi partneriteti publik-privat, punojnë së bashku si partnerë seriozë për konsolidimin, rritjen dhe suksesin e programit të studimeve duale në Degën Menaxhim Banke.
FASTIP-i ofron studime universitare të integruara me praktikën profesionale duke alternuar çdo 3 muaj edukimin akademik me programet e praktikave profesionale në bankë/biznese, dhe për të gjithë studentët e suksesshëm mundësohet punësimi i tyre menjëherë pas diplomimit nga institucionet partnere.
Vodafone Albania
Vodafone Albania është një prej tre kompanive të telefonisë celulare që operon në Shqipëri prej vitit 2001. Ajo është pjesë e një prej kompanive lider në tregun botëror të komunikimit, Vodafone Group Plc dhe mbulon një pjesë të rëndësishme të tregut vendas. Vodafone Albania ka mbi 2 milion klientë dhe u ofron atyre një gamë të gjërë produktesh dhe shërbimesh cilësore, por edhe të sigurta, nëpërmjet një rrjeti të përhapur prej 139 dyqanesh në të gjithë vendin.
Vodafone Albania është gjithashtu një kompani e madhe në terma të aktivitetit ekonomik dhe punëdhënies, me një filozofi biznesi avanguarde dhe gjithëpërfshirëse. Ajo është e angazhuar ne menyrë aktive në programe dhe projekte që promovojnë të rinjtë. Në këtë kuadër qëndron edhe bashkepunimi i Vodafone me Fakultetin e Studimeve të Integruara me Praktikën (FASTIP) i nisur në vitin 2011.
Gjatë këtyre viteve Vodafone Albania ka ofruar mbështje financiare dhe profesionale për rreth 31 studentë të regjistruar në FASTIP. Çdo student që ka qënë pjesë e Vodafone Albania ka kaluar nëpërmjet një programi të përshtatur të trajnimeve dhe eksperiencave profesionale me detyra konkrete.
Aftësitë e fituara gjatë periudhave të trajnimit praktik i kanë bërë studentët e FASTIP-it jo vetëm më të aftë për detyrat e ngarkuara gjatë praktikës, por edhe më të avantazhuar në tregun e punës. Kjo shprehet më së qarti në avancimin e tyre si në studime Master ashtu edhe në karrierën e tyre profesionale brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Harmonia Hotels Group
Harmonia Hotels Group është një ndër kompanitë udhëheqëse ne fushen e Hotelerisë së Shqipërisë që prej vitit 2012 ,si një biznes për të prodhuar vlerë duke krijuar produkte që përmbushin pritjet individuale të konsumatorëve. Kjo ndërmarrje erdhi në jetë nga vullneti i themeluesve të saj, të cilët janë ndër kontribuesit kryesorë profesionalë të sektorit të turizmit në vendin tonë sidomos gjatë dekades së fundit.